Për kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademin, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias për zgjedhjet lokale të vitit 2019, është një vendim i duhur. Në një lidhje me Skype për “Pa Protokoll”, ajo u shpreh se një çështje e tillë ndodh për herë të parë dhe se për këtë kërkohet thellim dhe një vendimmarrje e duhur. Ndërsa e konsideron sukses faktin që Gjykata Kushtetuese mori nën shqyrtimin çështjen, Ademi shton se megjithatë nuk priste një vendim brenda ditës.
“Gjykata Kushtetuese është ajo që duhet të marrë një vendim, asnjë gjykatë tjetër, fakti që Gjykata Kushtetuese ka marrë nën shqyrtim çështjen, është një arritje e madhe. Janë çështje që nuk janë diskutuar ndonjëherë dhe është një kauzë që meriton thellim dhe vendimmarrje të duhur në mënyrë që në Shqipëri mos të ndodhë më ajo që ndodhi që tronditi fort themelet e pluralizmit në Shqipëri. Unë do të doja që të kishte një vendim brenda ditës, por është e pamundur sepse Gjykata do kohën e vet për të marrë një vendim dhe vendimi për të marrë nëj opinion, shpresoj të jetë ezauruese dhe të mos lërë pikëpyetje për Gjykatën”, tha Ademi.
Ajo theksoi më tej se kanë depozituar në Gjykatën Kushtetuese prova që faktojnë, sipas saj, se zgjedhjet lokale të 30 qershorit nuk ishin pluraliste, ndërsa theksoi se është shpresëplotë për një vendim në favor të Shoqatës së Bashkive.
“Kjo çështje është e një rëndësie kombëtare. Ankimi ynë nuk ka lidhje me politikën apo partitë politike. Konflikti politik në atë kohë ka qenë i rëndësishëm që ka impaktuar procesin zgjedhor. Po gjatë zgjedhjeve janë një sërë veprimesh që janë kryer nga organet që kanë për detyrë administrimin e zgjedhjeve, të paligjshme. Janë rreth 17 fakte që dëshmojnë që nuk është respektuar Kushtetuta. I pari është detyrimi për të patur zgjedhje pluraliste, kjo është shkelur në të gjithë vendin.
Kuvendi ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë përmes një rezolute që nuk përbën një akt mbi bazën e të cilit do të duhej të impaktonte në një proces në lidhje me vendimmarrjen. Janë dekrete e Presidentit për të cilat nëse ka dyshime duhen gjykuar nga Gjykata Kushtetuese jo KQZ apo Kuvendi. Ne faktet ja kemi paraqitur Gjykatës Kushtetuese, pasi qytetarëve iu mohua e drejta për të zgjedhur, nuk patëm zgjedhje të lira dhe të drejta. Gjykata Kushtetuese akoma nuk është prekur. Unë pres që Gjykata t’i japë të drejtë Shoqatës së Bashkive”, shtoi Ademi.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë gjykimin për legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit të 2019 dhe t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion.
Kujtojmë se më 18 korrik 2019, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi në emër të shoqatës së bashkive ankimoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku kërkon që ky proces zgjedhor të mos njihet. Ademi kërkoi se kërkesa e dorëzuar nuk ka të bëjë vetëm me ankimimin e procesit zgjedhor por edhe me verifikimin e regjistrimit të Bindjes Demokratike. Ademi paraqiti në Gjykatën Kushtetuese një padi në emër të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. /Report TV/