Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Tuz, Shtjefen Ujkaj, thotë se procesi i votimit po vijon normalisht në 30 qendra e votimit në këtë komunë.
“Procesi po vazhdon në rregull. Deri në orën 12 kanë 26.3%, është dalje e mirë. Në orën 16.00 kjo përqindje është 51,3%. Qoftë e mirë kjo ditë për gjithë trevën.”
Teksa pati pretendime për mosfunksionimin e e kompjuterave që në nisje të procesit të votimit, Ujkaj tha se anëtarët e komisionit në konsensus të plotë e kanë zgjidhur këtë situatë duke bërë verifikimin e votuesve nga komisionerët me lista.
“Ishin probleme teknike për identifikimin elektronik të votuesve por u morëm vesh si komision me vazhdu dhe me e konstatu në procesverbal. Kur ndërpritet energjia identifikimi bëhet vizual dhe me listë. Besoj se nuk ka me pas keqpërdorim.”
Procesi i votimit pritet të mbyllet në orën 20 por Ujkaj siguroi se nëse në qendrat e votimit do ketë votues ata do ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe përtej këtij orari.
“Deri në 20 është votimi, por nëse ka votues aty do të votojnë. Numërimi do të bëhet në qendrën e vendvotimit. Ne pastaj bëjmë llogaritjen e gjithë rezultatit.”.
I pyetur se kur do të kemi një rezultat, Ujkaj tha se Komisionit Komunal Zgjedhor do ti duhet kohë, por do të jenë vetë partitë që do të njoftojnë një rezultat paraprak në mbrëmje.