Zinedin Zidan do të largohet nga drejtimi i Realit të Madridit në fund të sezonit. Pak minuta më parë, “Goal” raporton se trajneri francez i ka komunikuar skuadrës së tij se pas përfundimit të sezonit aktual, ai do të paraqesë dorëheqjen.
Numri një i stolit madrilen e ka menduar gjatë sezonit këtë gjë dhe ka arritur në përfundimin se ka ardhur koha që të largohet sërish nga klubi spanjoll.
Mes motiveve kryesore që e kanë detyruar francezin që ta lërë Realin një vit përpara përfundimit zyrtar të kontratës është lodhja, jo në aspektin fizik, por më shumë në aspektin psikologjik.
Sezoni i gjatë me dëmtime dhe me probleme që ka shoqëruar Realin, ka bërë që Zizu të lodhet dhe të ketë nevojë për një pushim ose ndoshta për një objektiv tjetër interesant.
Në vendimin e Zidanit nuk ka lidhje fare eliminimi i Realit nga Liga e Kampionëve në gjysmëfinale kundër Çelsit, por as dështimi i mundshëm në La Liga.