Si një masë mbështetëse ndaj pasojave të Covid-19, bizneset e vogla me qarkullim nga 5 në 14 milionë lekë nuk do të paguajnë tatim fitimi në vitin 2020 (që është 5%), ndërsa bizneset deri në 5 milionë lekë e kanë me ligj zero tatim fitimit.
Akti Normativ për ndryshimet në tatimin për të ardhurat, përcakton që “Për tatimpaguesit me qarkullim deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, këstet e parapagimeve të tatim-fitimit të vitit 2020 nuk do të paguhen.”
Për bizneset e mëdha parashikohet shtyrje e tyre deri në shtator 2021, por jo falje. Përjashtimisht nga parashikimet e nenit 30 “Parapagimet”, të këtij ligji, për tatimpaguesit me qarkullim mbi 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore të tremujorit të dytë dhe të tretë, prill- qershor dhe korrik- shtator 2020, nuk do të parapaguhen. Pagesat e këtyre kësteve shtyhen në periudhën prill-shtator 2021.
Ky përjashtim nuk zbatohet për tatimpaguesit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e veprimtarisë bankare, të telekomunikacionit, të tregtimit të produkteve farmaceutike, të produkteve ushqimore dhe frutaperimeve, si dhe tatimpaguesve të listuar në pikën 12, të këtij neni.
Përjashtimisht nga parashikimet e nenit 30 “Parapagimet”, të këtij ligji, këstet e tatimit mbi fitimin për periudhat tatimore prill-dhjetor 2020, për tatimpaguesit që zhvillojnë veprimtari ekonomike në fushën e turizmit e të përpunimit aktiv me material porositësi dhe call center nuk do të parapaguhen. Pagesat e këtyre kësteve shtyhen në periudhën prill-dhjetor 2021. /Monitor/